Dy vëllezër janë paraqitur në orët e para të mëngjesit në spital në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore, njëri prej të cilëve ishte me plagë të shkaktuar me armë zjarri në këmbë.

Klisman Rrapushi (Lepuri) dhe i vëllai Klaudio, kanë deklaruar se janë dëmtuar nga disa persona të panjohur në ambientet e një biznesi në rrugën “Faik Konica”.

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 05.06.2026, rreth orës 03:00, janë paraqitur për ndihmë mjekësore, në spital, shtetasi K. Rr.(L.), banues në Laç, i dëmtuar në këmbë dyshohet me armë zjarri, dhe vëllai i tij, shtetasi K. G.(L.), i dëmtuar në këmbë(ndrydhur).

Të dy shtetasit janë jashtë rrezikut për jetën, dhe kanë deklaruar se janë dëmtuar nga disa shtetas të panjohur prej tyre, në ambientet e jashtme të një subjekti në rrugën “Faik Konica”.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rastit, si dhe për sqarimin e rrethanave”, thuhet në njoftimin e policisë.