Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur aktakuzë ndaj 20 nëpunësve publikë, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre në bashkëpunim, duke sjellë dëm për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Hetimet kanë përfshirë periudhën e viteve 2016-2017, në kohën kur ministria drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI). Procedurat penale lidhen me menaxhimin e tenderëve për trajtimin e karkalecit dhe sëmundjeve të gjedhëve
20 zyrtarët e dërguar për gjykim janë Mimoza Kita, Erola Halili, Gavrosh Xhindoli, Imir Alla, Adra Gjingecaj, Lulzim Konçi, Elida Palluqi, Luan Hajno, Merita Petushi, Edi Fero, Aldin Lika, Ermira Riznavolli, Ismet Bici, Arjan Zeqiri, Alfred Gjonaj, Sotiraq Papa, Alketa Ikonomi, Alma Dhrako, Kristaq Nica, Admir Ago.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit, në cilësinë e personave me funksione publike, kanë bashkëpunuar për të kryer shkelje të rënda ligjore në 7 procedura prokurimi me një fond total prej 525 milionë lekësh (pa TVSH). Tenderat janë zhvilluar kryesisht përmes procedurës së negociimit pa shpallje paraprake, në kundërshtim me legjislacionin për prokurimet publike.

Hetimi nisi pas kallëzimit të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili evidentoi mospërmbushje të rregullta të detyrës, përfshirë mangësi në përcaktimin e kritereve të mallrave dhe kryerje të testimeve fiktive të tregut.