Një bandë shqiptare u zbulua duke kultivuar kanabis në një magazinë të fshehur pas një blloku banesash në Ostende, Belgjikë, pasi një zjarr i madh shpërtheu në pallat më 22 korrik 2024.

Mediat e huaja raportojnë se zjarrfikësit, gjatë shuarjes së flakëve, nuhatën erë të fortë kanabisi dhe zbuluan tetë tenda kultivimi me gjithsej 595 bimë kanabisi, të pajisura me ndriçim profesional, ventilim dhe ngrohje, ndërsa energjia merrej ilegalisht nga garazhi.

Në vendngjarje u arrestua Ervin B. 22 vjeç, i cili pranoi se kishte mirëmbajtur plantacionin që nga shkurti 2024, duke marrë 100 euro në ditë. Hetimet zbuluan gjithashtu përfshirjen e Xhuljo B. 38 vjeç, Leonard M. 41 vjeç, Kevin C. 36 vjeç dhe Angelo C. 35 vjeç.

Magazina rezultoi se ishte marrë me qira që më 1 qershor 2022 nga shqiptari Leonard M. (41 vjeç), nën petkun e një kompanie greke fiktive. Hetuesit arritën gjithashtu të lidhin me plantacionin edhe me Kevin C. (36) nga Ostende dhe Angelo C. (35) nga Middelkerke. Të dy kujdeseshin për bimët në këmbim të kanabisit falas.

Kevin C. tregoi se e kishte njohur Xhuljo B. dy vjet më parë, kur ky i fundit ishte fqinj i tij poshtë banesës. Ai pohoi se ishte kërcënuar prej tij.

“Nuk duhej t’i tregoja asgjë policisë, përndryshe do të më rrëmbenin fëmijët,”– deklaroi ai.

Gjykata e Bruges dënoi Xhuljo B. dhe Leonard M. këtë javë me nga tre vjet burg. Ervin B. mori dy vjet burg ndërsa Angelo C. u dënua me një vit burg. Kevin C. mori tetëmbëdhjetë muaj burg, gjysma me kusht. Përveç dënimeve me burg, banda duhet të paguajë 173,000 euro dëmshpërblim për energjinë e vjedhur nga rrjeti “Fluvius”.