Me urdhër të SPAK është sekuestruar ditën e sotme inceneratori i Tiranës.

Në njoftimin zyrtar dërguar për mediat bëhet me dije se SPAK ka kërkuar sekuestrimin e këtij inceneratori.

Por kush janë pronarët?

Po nga njoftimi i SPAK mësohet se pronarët “de facto” janë biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mëritri.

Kujtojmë se që të dy këta të fundit janë të shpallur në kërkim, teksa mbi ta rëndojnë disa vepra penale.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion bën me dije se po heton në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimit, në lidhje me kontratën e koncesionit nr. 6597 prot, datë 31.08.2017 “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH, ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”- shkruhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.