Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës pasi vodhën një kasafortë në një banesë në rrugën  “Zihni Sako”. Të arrestuarit janë shtetasit Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Policia ka njoftuar se, ata u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur kasafortën e pronarit R. O., brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe një armë zjarri me municion, e cila mbahej me leje nga pronari.

Po ashtu, policia, gjatë kontrolleve, zbuloi edhe një ambient të kamufluar si biznes, i përdorur nga Agron Goxhaj, në të cilin u zbuluan çelësa të ndryshëm që modifikoheshin për hapjen e bravave të apartamenteve.

Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje të tjera në Durrës dhe në Tiranë, duke marrë sende me vlerë dhe shuma parash. Gjatë operacionit janë sekuestruar kasaforta, sende me vlerë, dy automjete dhe një motomjet, si edhe një vlerë totale prej rreth 30 mijë eurosh.

Njoftimi i Policisë:

Tirane/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 operacioni policor i koduar “Access”.

Vodhën një kasafortë me sende me vlerë në një banesë në rrugën “Zihni Sako”, identifikohen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje edhe në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë marrë sende me vlerë dhe shuma parash.

Zbulohet një ambient i kamufluar si biznes, ku dyshohet se njëri prej të arrestuarve modifikonte çelësa të ndryshëm për hapjen e bravave të apartamenteve.

Sekuestrohen kasaforta, sende me vlerë, 2 automjete dhe 1 motomjet me vlerë rreth 30 000 euro.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në banesën e shtetasit R. O. ishte vjedhur një kasafortë me sende me vlerë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Access”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Si rezultat i operacionit, u identifikuan, u kapën në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe u vunë në pranga shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, më datë 03.04.2026, u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur një kasafortë, brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe 1 armë zjarri me municion, e cila posedohej me leje nga pronari i banesës, në rrugën “Zihni Sako”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur si biznes nga shtetasi A. G., u konstatua se ky shtetas modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve.

Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje të shumave të parave dhe sendeve me vlerë në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.