Policia e Shkodrës ka arrestuar dy persona, duke hedhur dritë mbi vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i cili u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij në fshatin Guci e Re, më 27 shkurt 2025.

Mësohet se të arrestuarit janë shtetasit Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku. Dy personat, 20 dhe 43 vjeç akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.

Si rezultat i punës policore dhe hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, zbardhet vrasja e shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re. Kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje. Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP-së Shkodër.

Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësinë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit P. P., e kryer më datë 27.02.2025, në fshatin Guci e Re, u finalizua operacioni policor i koduar “Pesha e krimit”.

Në kuadër të këtij operacioni, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: K. L., 20 vjeç, banues në fshatin Mgull; V. K., 43 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.