Një operacion i policisë greke ka zbuluar një sasi tepër të madhe droge në Greqi bashkë më arsenal armësh, duke çuar në arrestimin e 6 shqiptarëve.
Grupi kriminal kishte kultivuar drogë dhe kishte arritur të nxirrte prodhimin, ndërkohë që tregtonte edhe kokainë dhe drogëra të tjera sintetike. Operacioni i policisë u zhvillua në zona të ndryshme të Athinës dhe Arkadias.
Kreu i grupi kriminal ishte 39-vjeçari Fatjon Prendi, ndërsa pas tij në hierarki vinte 36-vjecari Elson Ndreca. Si bashkëpunëtorë të tyre në ruajtje dhe magazinimin e drogës, parave, celularëve dhe transportin e kreut të grupit, u vunë në pranga dhe 35-vjeçarja Brisejda Cami, 73-vjeçarja Pashke Gega dhe 35-vjeçarja Zoje Ndoj. Në pranga gjatë operacionit ra edhe 50-vjeçari Arben Mashi, të cilit iu gjet dhe sekuestrua një thikë, ndërkohë që rezultoi se jetonte në mënyrë të paligjshme në Greqi.
Gjatë operacionit u sekuestruan nga policia greke 1 ton e 161 kg kanabis, 1640 rrënjë kanabisi, 4.3 gram kokainë, 3.5 gram ketaminë, 10 gram kristal methamfetaminë MDMA, 9 tabela ekstazi, nga shitja e të cilave parashikohej një fitim prej 8 milionë euro.
Gjatë kontrollove policia greke gjeti dhe sekuestroi edhe 2 pistoleta, 1 Kallashnikov, 1 granatë, 134 fishekë, 1 thikë, 4 peshore elektronike, 3 automjete, 17 celularë, 12.250 euro false, 120 euro, 1900 lekë, 70 paund, 22 dollarë amerikanë, 10 dollarë kanadezë dhe 20 franga zvicerane.
Sipas burimeve policore, Fatjon Prendi rezulton me precedentë penalë në Greqi për tentativë vrasje dhe grabitje në bashkëpunim dhe ndodhej në masën detyrim paraqitje, ndërsa Arben Mashi rezulton me precedentë penalë për organizatë kriminale, drogë e armë si dhe shkelje të ligjit mbi emigrantët.