SPAK ka paraqitur pretencën për një nga dosjet më të mëdha që lidhen me abuzimet në tendera dhe procedurat e prokurimit publik, ku të përfshirë janë ish-drejtues të institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Në qendër të hetimit është ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për të cilin kërkohet dënim me 10 vite burg për disa vepra penale, përfshirë pesë episode të shkeljes së barazisë në tendera, gjashtë raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi pritet të ulet me një të tretën. Prokuroria kërkon gjithashtu ndalimin e tij nga funksionet publike për 5 vite, si dhe konfiskimin e shumave të sekuestruara në banesën e tij.
Në të njëjtën çështje përfshihet edhe ish-drejtori tjetër i ARRSH, Gentian Gjyli, për të cilin SPAK kërkon 1 vit e 6 muaj burg për shkelje të barazisë në tendera, me ulje për gjykim të shkurtuar dhe ndalim nga funksionet publike.
Po ashtu, për ish-drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, kërkohet 1 vit e 6 muaj burg për të njëjtën vepër penale, si dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Në dosje përfshihet edhe Ervis Lami, për të cilin kërkohet një dënim total prej 7 vitesh e 6 muajsh burg për korrupsion aktiv dhe pastrim parash, me ulje për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe pezullim të pjesës së mbetur të dënimit me shërbim prove.
Sipas SPAK, në këtë çështje rezulton bashkëpunim mes disa personave dhe përfshirje e subjekteve juridike, ku dyshohet se është cenuar konkurrenca dhe barazia mes operatorëve ekonomikë, duke sjellë përfitime të padrejta.
Dosja përbëhet nga rreth 520 faqe dhe përfshin dhjetëra persona, mes tyre zyrtarë dhe përfaqësues biznesi. Për pjesën më të madhe të të pandehurve janë kërkuar dënime nga 1 deri në 2 vite burg, në disa raste të shoqëruara me masa alternative si shërbimi i provës apo puna në interes publik, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për disa vite.
