Dy persona janë dënuar me një total prej 14 vitesh burg për shpërndarjen e mbi 400 mijë paundëve kokainë në zonën e Surrey-t, në Mbretërinë e Bashkuar.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Kurorës në Chichester të hënën, më 31 mars, Mirjan Kastrati, 35 vjeç , nga Romford, u dënua me gjashtë vite e tre muaj burg, pasi pranoi fajësinë për përfshirje në shpërndarjen e kokainës.

Ndërsa Mario Gilaj, 24 vjeç, po ashtu nga Romford, u dënua me tetë vite burg, pasi u shpall fajtor nga trupi gjykues pas një gjykimi gjashtëditor për të njëjtën vepër penale.

Hetimet nisën më 5 shtator 2024, kur, pas marrjes së informacionit për aktivitete të dyshimta kriminale, policia kreu një kontroll në një adresë në Dartford. Rezultoi se banesa po përdorej nga dy të rinjtë si një “qendër thirrjesh” për të menaxhuar shpërndarjen e drogës në Surrey.

Gjatë kontrollit, Mirjan Kastrati u kap në flagrancë teksa ndodhej në një tavolinë të improvizuar, duke komunikuar me klientët dhe duke bërë porosi droge. Mario Gilaj u arrestua në përpjekje për t’u larguar nga banesa.

Hetimet e mëtejshme zbuluan të dhëna digjitale dhe dokumente që provonin se, në një periudhë dy mujore nga korriku deri në shtator dy të pandehurit kishin shpërndarë rreth 4 kilogramë kokainë, me një vlerë në treg prej afro 413 mijë paundësh.