Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë Lezhë, Erjon Shehaj.
Trupi gjykues mori vendimin për Shehajn, i cili më parë kishte kaluar shkallën e parë të Vettingut, edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi probleme me pasurinë dhe profesionalizimin. Komisioneri Publik ankimoi vendimin.
Në arsyetimet e KPA gjatë seancës së sotme ku edhe u mor vendimi theksohet se:
-Erjon Shehaj nuk ka kryer veprime hetimore për dosjet dhe ka cenuar garancitë proceduriale të personave.
-Lidhur me një nga çështjet trupi gjykues shprehet se nuk do të mbajë qëndrim, pasi çështja është për gjykim në Gjykatën e Lartë.
-Për 4 raste trupa gjykues vlerëson se janë konstatuar shkelje nga ana e subjektit të rivlerësimit.
-Në një nga procedimet Shehaj duhet të hiqte dorë pasi ishte në konflikt interesi. Përfshija e tij në këtë procedim ka shkaktuar pavlefshmëri të akteve të procesit penal.
Në seancë mungonte drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani. Po ashtu, i pranishëm nuk ishte as Shehaj i cili përfaqësohej nga avokati Julian Mërtiri.
***
Në seancën e 19 marsit drejtuesi i SPAK, Altin Dumani tanimë me kompetencat edhe të Komisionerit Publik, kërkoi shkarkimin e tij për shkelje të rënda profesionale. Dumani argumentoi se Shehaj kishte pasur mangësi serioze në ushtrimin e detyrës dhe se veprimet e tij kishin dëmtuar besueshmërinë e sistemit të drejtësisë, duke sjellë pasiguri dhe duke penguar hetimin e disa çështjeve të rëndësishme.
Dumani përmendi disa raste ku Shehaj kishte dështuar të ndiqte procedurat ligjore të parashikuara, duke e bërë të pamundur zhvillimin e hetimeve të thelluara dhe të plota. Sipas tij, prokurori Erjon Shehaj kishte marrë vendime të paarsyeshme për të pushuar hetimet, pa zbatuar kërkesat ligjore për mbledhjen e provave dhe pa shfrytëzuar mundësitë që ligji ofron për të bërë hetime të thelluara në disa çështje të mëdha.
Një nga shkeljet më të rënda të identifikuara nga Dumani ishte vendimi i Shehajt për të pushuar hetimin ndaj një individi të akuzuar për korrupsion të lartë, pa marrë parasysh faktet dhe provat që treguan se ky individ mund të kishte kryer vepra penale. Dumani theksoi se, në vend që të zhvillonte hetime të mëtejshme, Shehaj e kishte pushuar dosjen pa një analizë të detajuar të provave dhe rrethanave të çështjes.
Gjithashtu, Dumani solli në vëmendje disa denoncime të tjera që ishin bërë ndaj Shehajt, përfshirë rastet kur prokurori kishte lënë të pashfrytëzuara mundësitë për të kërkuar masat e sigurisë për individët që ishin në kërkim, duke i lënë ata të shëtisin lirisht, pavarësisht se ekzistonin prova të mjaftueshme për të kërkuar arrestimin e tyre. Kjo, sipas Dumanit, kishte krijuar një imazh të dobët të SPAK dhe kishte dëmtuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Nga ana e tij, avokati i Shehajt, Julian Mërtiri, kundërshtoi të gjitha këto akuzat dhe theksoi se vendimet e prokurorit ishin marrë në përputhje me ligjin dhe praktikën e zakonshme ligjore.
Në përfundim të seancës, Dumani kërkoi që KPA të merrte në konsideratë dëmin e shkaktuar nga vendimet e prokurorit dhe të siguronte që drejtësia të jetë e paanshme dhe e drejtë.
Emisioni Vetting denoncoi shkeljet e Erjon Shehajt
Shkeljet e kryeprokurorit të Lezhës janë trajtuar edhe nga emisioni “Vetting” në News24, ku mbërriti një denoncim për shkelje të ligjit. Një qytetar akuzoi Shehajn se e ka përjashtuar nga amnistia penale duke e mbajtur në burg përtej afateve. Armando Uka, një ish-i burgosur që ka vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër tha për “Vetting” se plotësonte kushtet dhe kishte dokumentacionin e duhur për të përfituar nga Amnistia Penale kanë qenë sipas ligjeve në fuqi, gjë që nuk ndodhi por sipas tij prokurori e mbajti peng duke munguar në seancat gjyqësore.
Dritëhijet e kryeprokurorit/ Emisioni Vetting
Në njërin nga pasazhet e librit “Republika” të shkruar nga Platoni kemi një nga ngjarjet më të veçanta, që i bën apel shoqërisë për drejtësinë dhe njerëzoren.
Në libër jepet se Sokrati është dënuar me vdekje padrejtësisht nga juria e qytetit të Athinës dhe miqtë e tij organizohen për ta nxjerrë nga burgu duke u arratisur, por Sokrati nuk pranon.
Sipas Sokratit, edhe pse i ka ndodhur një padrejtësi, ai vet nuk mund të bëjë një padrejtësi sepse dy veprime të gabuara nuk mund të sjellin kurrë një veprim të drejtë.
Sokratit nuk i bëri dëm ligji, por juria! Jo më kot e sollëm këtë histori sepse në vetvete, tezat e Sokratit nuk ngrenë vetëm pyetje, por demonstrojnë parimet e një shoqërie të drejtë dhe se pa ndryshuar parimet, ne nuk mund të ndryshojmë drejtësinë, ne nuk mund të japim drejtësi. Ne mund të ndryshojmë ligjet, Gjyqtarët dhe Prokurorët, por ne nuk mund të japim dhe marrim drejtësi nëse ne nuk kemi parime të rrënjosura në familje dhe shoqëri.
Drejtësia, ky koncept i mohuar nga manteli i zi që veshin persona të deleguar nga krimi dhe politika po i merr frymën një kombi që është kthyer në komb nomadësh, sa në një shtet në shtetin tjetrin duke braktisur Shqipërinë, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me shkretëtirën përveç faktit se tashmë po i shterojnë njerëzit.
Këta njerëz largohen prej lajmeve të përditshme të kronikës së zezë, prej lidhjeve të krimit me politikën, të cilat kur përballen me njerëz guximtarë dhe të vendosur, të dyja përdorin si kamzhik sistemin e drejtësisë kundra qytetarëve për ti grabitur, mposhtur e për ti nënshtruar.
Në këtë episod “Vetting” do të trajtojë denoncimin që ka ardhur për kryeprokurorin e Lezhës, Erjon Shehaj, i cili jo vetëm që ka shkelur ligjin në shumë raste sipas Komisionerit Publik, por sipas denoncuesit e ka përjashtuar nga Amnistia Penale, duke e mbajtur në burg përtej afateve.
Sipas avokatit Arben Llongozi: “ Në rastin konkret kemi sistemin e drejtësisë që është fajtor në mos marrjen e masave për gjymin e një çështje në kohë. Pra referuar nenit 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e njeriut. Nenit 32, 42 të Kushtetutës është parashikuar që një gjykim duhet të jetë I menjëhershëm, pra sa më shpejtë e parashikon ligji”.
Vonesat për procesin e Amnistisë
Armando Uka, një ish-i burgosur që ka vuajtur dënimin në burgun e Reçit në Shkodër për “Vetting” shprehet: “Unë e quaj veten civil se e kam mbaru burgun sepse deri atëherë unë kam qenë i burgosur në IEVP Reç, në rregull, unë e di gabimin që kam bërë, por një orë e një minutë më vonë, unë e kam mbaru burgun tim, unë jam marrë peng nga kryeprokurori Erjon Shehaj.”
Ky është Armando Uka, i cili pretendon se është përjashtuar nga përfitimi i amnistisë penale, rrjedhimisht duke e mbajtur në burg përtej afateve të parashikuara. Sipas Ukës: “Kam njoftuar emisionin tuaj sepse kam kryer një krim në vitin 2011, jam dënuar me 16 vjet. Dhe para atij e kam pasur një dënim tjetër 3 vjeçar. U ekstradova nga Italia, erdha këtu në Shqipëri në 13 tetor të vitit 2023. Erdha për të kryer 3 vjet e 11 muaj dënim, dënimin e mbetur e kisha kryer.
Tani… Me kalimin e kohës doli amnistia tani që erdha këtu. Nga 3 vjet e 11 muaj heqim 6 muaj, sa i takon ? Pastaj kisha edhe 855 ditë, si i thonë këtu në Shqipëri ‘3 mujorsha’, të marra me vendim gjyqtarie në Itali, të njoftuara nga Shqipëria.
Më takonte që unë më 4 prill kur është dhënë amnistia nëpër burgje që fillonin të dilnin njerëzit, duhet që unë të isha i lirë. Nga ajo ditë unë s’kam dalë, unë kam dalë në 5 shkurt 2025, tani sa kohë i bie që unë kam ndenjur brenda?”.
Për të kuptuar më shumë rreth çështjes, por edhe për të marrë qëndrimin e të gjitha palëve, “Vetting” ka kryer një hulumtim që nxjerr në pah arsyet me rastin e Armando Ukas. “Vetting” e pyeti denoncuesin për sjelljen e tij brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Itali, por edhe në Shqipëri e cila ndikon edhe te përfitimet nga masa e uljes së dënimit.
Në shumë raste, kur të burgosurit janë problematikë në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal (IEVP) ose e thënë ndryshe në burg, ata mund të penalizohen, por ky nuk ka qenë rasti sipas dëshmisë nga vetë Uka. “Sjellja ime në institucionet e Italisë dhe të Shqipërisë ka qenë ekzemplare. Jam sjellë mirë me shoqërinë, me personelin e policisë, me drejtuesit, me drejtorat e burgut. Jam sjellë ashtu sic duhet, jam sjellë normal.
Tashti… Problemi është se Kryeprokurori më ka mbajtur peng në burg 11 muaj o shok. Tani më duhet motivi, për çfarë…?”– shprehet Armando Uka, ish-i burgosur.
Kjo është pyetja që e mundon prej gati një viti Ukan, por edhe avokatët e tij Gjergj Neli dhe Shaqe Marinaj, të cilët kanë bërë përpjekje të shumta, duke qenë edhe të shqetësuar për gjendjen e tij fizike dhe shpirtërore kur ishte i burgosur.
Për “Vetting” avokati Gjergj Neli u shpreh: “I dënuari e ka ndjerë shpirtërisht dhe fizikisht. Sa herë që shkoja të takoja e ndiheshim veten fajtorë për pjesën time si përfaqësues ligjor sepse i dënuar nuk I percepton sepse thotë unë kam një avokat dhe avokati, ideja e atij që është avokati që bën përpjekjet dhe më liron.”
Sipas denoncuesit dhe avokatëve të tij, dokumentacioni dhe kushtet për të përfituar nga Amnistia Penale kanë qenë sipas ligjeve në fuqi.
“Me letra, i kemi krejt letrat e dokumentuara, që unë kam ardhur nga Italia në Shqipëri për të kryer dënimin prej 3 vitesh e 11 muajsh nga 19 vjet që kisha. Kam bërë 14 vjet atje, llogarite etj. E kam mbaruar burgun tim! Tashti ndoshta atij nuk i ka pëlqyer avokati që kam patur unë sepse janë njerëz të drejtë.”– tha Armando Uka.
Për “Vetting”, avokati Gjergj Neli ka thënë se vazhdimisht ata prisnin veprime nga Prokuroria e Lezhës, kryesisht nga prokurori Erjon Shehaj, i cili i zvarriste procedurat dhe nuk i bënte në kohë. Të gjendur në këto kushte, avokatët kanë bërë kërkesë në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur përfitimi nga amnistia penale.
Më 29 maj 2024, Gjykata e Lezhës pranoi kërkesën për bashkimin e dënimeve të Armando Ukas, duke e dënuar me një vendim të plotë prej 17 vitesh.
“Përfundimisht, ne duke parë qëndrimin e Prokurorit, sepse prokurori po i zvarriste procedurat për bashkimet e dënimeve, ne në cilësinë e avokatëve vumë në lëvizje gjykatën për bashkimin e dënimeve, e cila vendosi bashkimin e dënimeve në një të vetme.
Që do të thotë nuk e llogariti 16 vjet dhe 3 dënime, por në një dënim të vetëm prej 17 vitesh për të dënuarin Armando Uka.”– u shpreh avokati Neli.
Por pavarësisht përpjekjeve të avokatëve, përsëri çështja do të ngelte në vend numëro dhe do të duhej të kryheshin procedurat e certifikatave të njohjes nga shteti italian edhe njëherë pasi sipas kryeprokurorit të Lezhës mungonin këto dokumente.
Avokati Gjergj Neli tha: “I dënuar përfitonte uljen e dënimit nga 1 vit e gjysmë ashtu siç e përmbante ligji. Në këtë kontekst, prisnim lëvizje nga prokurori që të përfitonte amnistinë, por nuk ndodhi. Vazhdonim gjyqet dhe prokurori nuk vinte në gjyqe, ne si mbrojtje e pamë që prokuroria po i shmangej”.