Policia e Tiranës ka arrestuar 23-vjeçarin Juges Kodhelaj, pasi dyshohet se ka nxitur një 13-vjeçar për të kryer vjedhje në kryeqytet.

Po ashtu është marrë nën hetim 13-vjeçari që kryente vjedhje dhe bashkëmoshatari i tij, i cili së bashku me një 48-vjeçar përvetësonin sendet e vjedhura. Sipas policisë, janë sekuestruar 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të vjedhjeve, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Influenca”, në kuadër të të cilit: u arrestua shtetasi J. K., 23 vjeç, banues në Tiranë; u proceduan në gjendje të lirë dy 13-vjeçarë dhe shtetasi Sh. M., 48 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi J. K. nxiste në mënyrë të vazhdueshme, njërin prej 13-vjeçarëve të proceduar, për të kryer vjedhje, ndërsa i mituri tjetër dhe shtetasi Sh. M. përvetësonin sendet e vjedhura.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.