Një 35-vjeçare është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mirditës, pasi u kap duke qarkulluar e armatosur me armë zjarri pistoletë.
E arrestuara është Jetmira Biba, 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, Mirditë. Ajo akuzohet për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Operacioni u zhvillua në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, në hyrje të qytetit të Rrëshenit. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Qarkullonte me automjet e armatosur me armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçarja. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe automjeti. Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetase qarkullonte e armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kryqëzimi”.
Si rezultat i operacionit, në afërsi të kryqëzimit të Kthellës, drejt hyrjes për qytetin e Rrëshenit, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip “Golf”, në të cilin dyshohej se udhëtonte shtetasja e armatosur, dhe e ndaluan për kontroll. Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasja J. B., 35 vjeçe, banuese në Rrëshen, Mirditë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.




