Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se shiste në argjendarinë e tij sende me vlerë të vjedhura jashtë shtetit dhe të futura në Shqipëri në mënyrë të kundërligjshme. Sipas policisë, bëhet fjalë për bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze. Policia ka sekuestruar 3.3 kg bizhuteri floriri dhe 133 ora dore në biznesin e të arrestuarit Arbër Margjeka, me vlerë rreth 300 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, arrestohet 39-vjeçari. Sekuestrohen bizhuteri floriri (me peshë totale rreth 3.3 kg) dhe 133 ora dore të markave luksoze, me vlerë rreth 300 000 euro, si dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale. Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Lezhë, u finalizua në drejtimin e Prokurorisë, operacioni i koduar “Final O’clock”, për goditjen e një rasti të shitjes së sendeve me vlerë të kontrabanduara, të dyshuara të vjedhura jashtë vendit.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas shiste në argjendarinë e tij, në qytetin e Lezhës, bizhuteri të ndryshme floriri dhe ora dore të markave luksoze, të dyshuara të vjedhura jashtë shtetit, të cilat dyshohet se ai i siguronte pas kontrabandimit të tyre në Shqipëri. Gjatë kontrollit në subjektin e 39-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 133 ora dore të markave luksoze pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën e tyre, bizhuteri të ndryshme floriri (me peshë rreth 3.3 kg) pa faturat përkatëse të blerjes, rreth 270 500 lekë dhe 2 700 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
