Një 45-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar ditën e sotme në Tiranë.

Raportohet se në zonën e “Vasil Shantos” u ndalua Sokol Bushpepa, i cili kërkohej nga autoritetet italiane, pasi akuzohet si i përfshirë në një organizatë kriminale.

Sipas Policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Itali e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë burg për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Pas arrestimit, Bushpepa pritet që ekstradohet drejt Italisë, ku dhe do të vuaj dënimin e mbetur. 

Njoftimi i policisë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 92”. Kapet në lagjen “Vasil Shanto” dhe arrestohet, me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh.

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin Kol Bushpepa alias Sokol Bushpepa, 45 vjeç, banues në Rrëshen.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, Itali, e ka dënuar me 5 vite, 3 muaj e 10 ditë, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 4 vite e 18 ditë burgim.

Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë italiane.