Një 52-vjeçar nga qyteti i Kukësit ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit pasi u kap duke transportuar me furgon mallra kontrabandë.
Mësohet se Shkëlqim Xhahu u ndalua nga efektivët në rrugën “Bardhyl”, teksa po transportonte mallrat për te tregu i shumicës, në rrugën “5 Maji”. Vlera e veshjeve kryesisht sportive arrinte vlerën 40.000 euro, teksa veshjet ishin vendosur në qese të mëdha të zeza dhe të mbyllura me ngjitës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Silent Load”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. Xh., 52 vjeç, banues në Kukës. Shërbimet e Policisë, në rrugën “Bardhyl”, kanë lokalizuar dhe ndaluar furgonin me drejtues m 52-vjeçarin, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra (veshje sportive) të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë totale 40 000 euro.
Nga hetimet ka rezultuar se ky shtetas do t’i shiste veshjet në dyqane të ndryshme të një tregu të shumicës në rrugën “5 Maji”.


