Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Vlorë, pasi akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kokainë në vendet e Evropës.
Sipas policisë, i arrestuari është Klevi Kananaj, i cili dyshohet se bënte pjesë në një grup që akuzohet për trafik të një kontejneri me 82.84 kg kokainë, sekuestruar në shkurt të këtij viti në portin e Vigos në Spanjë. I riu dyshohet se ka pasur si rol të vëzhgojë kontejnerin, nga jashtë terminalit. Ai është larguar fillimisht drejt Katalonjës dhe, 11 ditë pas ngjarjes, ka ikur në Itali, nga ku ka mbërritur në vendin tonë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i shkëmbimit në kohë reale të informacionit, ndërmjet homologëve spanjollë dhe shërbimeve të DFPO-së, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, në lidhje me vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u finalizua operacioni i koduar “Operacionalja 93”.
Gjatë kësaj faze u lokalizua në Vlorë, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi K. K., 30 vjeç, i lindur në Vlorë. Për këtë shtetas, autoritetet gjyqësore në Spanjë, më datë 03.03.2026, kanë lëshuar urdhër arresti, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
30-vjeçari akuzohet se ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë, për të trafikuar në Spanjë, 82.84 kg Kokainë, fshehur në një kontejner. Lënda narkotike u sekuestrua nga Policia spanjolle, më datë 05.02.2026, në portin e Vigos, ku gjithashtu u arrestuan në flagrancë, gjatë përpjekjes për të nxjerrë ngarkesën, 2 shtetas.
Nga hetimet dyshohet se roli i 30-vjeçarit ka qenë vëzhgimi i kontejnerit, nga jashtë terminalit. Ai është larguar fillimisht drejt Katalonjës dhe, 11 ditë pas ngjarjes, ka ikur në Itali. Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 30-vjeçarit.
