Policia e Shtetit ka finalizuar faza të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, në bashkëpunim me autoritetet homologe në Itali

Në Itali është arrestuar Alok Mittra, 47 vjeç, i cili në vitin 2024 është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 15 vite burg për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufijve, falsifikim dokumentesh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Sipas hetimeve, Mittra ishte pjesë e një grupi kriminal që gjatë viteve 2023-2024 organizoi kalimin e paligjshëm të rreth 253 shtetasve nga Bangladeshi, kundrejt përfitimeve financiare.

Shtetasit e huaj silleshin në Shqipëri nga Dubai dhe pajiseshin me kontrata pune fiktive për të siguruar leje qëndrimi. Pas marrjes së dokumenteve, ata niseshin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas Policisë, gjatë këtij aktiviteti kriminal, Mittra shoqëronte shtetasit e huaj dhe merrej me transportimin dhe akomodimin e tyre.

Interpol Tirana vijon procedurat me autoritetet italiane për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.