Një 23-vjeçar shqiptar, Arjan Toçi, banues në Peshkopi, është arrestuar në Kroaci pas një kërkimi ndërkombëtar. Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi dyshohet për përfshirje në trafik droge si pjesë e një grupi kriminal në Itali.

Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare dhe rrjetit ndërkombëtar të policisë ENFAST, si dhe homologëve në Kroaci dhe Itali.

Policia Shqiptare thotë se do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të kapur dhe ekstraduar personat që fshihen jashtë vendit, me qëllim që ata të dalin përpara drejtësisë.

NJOFTIMI:

Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Kroacisë dhe FAST Italisë, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi, në territorin e Kroacisë, i shtetasit shqiptar Arjan Toçi, 23 vjeç, banues në Peshkopi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hetimeve Paraprake e L’Aquilas, Itali, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal italian.

Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë.