Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest në burg” në mungesë për Denis Tahirin, 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për atentatin e ndodhur më 4 shtator, ku mbetën të plagosur dy persona, Kastriot Elezaj dhe Ronaldo Metushi.

Tahiri akuzohet për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”. Ngjarja ndodhi në një lokal në Don Bosko, ku autorët qëlluan me armë zjarri drejt të plagosurve.

Policia ka orientuar hetimin në dy pista: e para lidhet me të shkuarën kriminale të Elezajt, i dënuar për vjedhje në Itali, dhe e dyta me mundësinë e përfshirjes së të dy të plagosurve në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Elezaj ka deklaruar se nuk kishte konflikte me askënd dhe se kishte dalë për të pirë kafe kur ndodhi ngjarja. Edhe Metushi tha se nuk kishte ndonjë mosmarrëveshje dhe se kishte marrëdhënie shoqërore me Elezajn.

Pas atentatit, autorët u larguan me makinë dhe e djegën atë në fshatin Çerek, ku u gjet një pistoletë me silenciator e dyshuar si arma e përdorur.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për të hetuar këtë ngjarje, duke përfshirë analiza dhe vlerësime të provave. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.