Një 39-vjeçar shqiptar është dënuar me katër vite burg në Francë, pasi është shpallur fajtor për disa vjedhje në seri. I dënuari është Angjelin Nokaj, 39 vjeç, me origjinë shqiptare. Ai është shpallur fajtor për vjedhje dyqanesh, farmacish dhe individësh. Si pasojë e këtyre vjedhjeve, ai iu ka shkaktuar bizneseve dhe individëve dëme prej dhjetëra mijëra eurosh.
Mediat franceze shkruajnë se ai do të deportohet brenda pak muajsh nëse aplikon për lirim me kusht. 39-vjeçari shqiptar u gjykua për të paktën 72 raste vjedhjesh me thyerje, të kryera në zona të ndryshme, ku synoheshin kryesisht banesa private dhe sende me vlerë. Gjatë procesit gjyqësor, Nokaj deklaroi se në momentin e kryerjes së vjedhjeve kishte qenë nën ndikimin e kokainës, duke u përpjekur ta paraqesë këtë si një rrethanë që ndikoi në veprimet e tij.
Megjithatë, prokuroria paraqiti provat që e lidhnin me vendet e vjedhjeve, ndërsa gjykata e konsideroi përgjegjës për veprat penale. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi dënimin me katër vite burg të mbyllur, duke theksuar seriozitetin e veprave dhe nevojën për të frenuar vjedhjet dhe aktivitetet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve.



