Një 23-vjeçar shqiptar është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar pasi u zbulua i fshehur nën një shtrat gjatë një operacioni policor kundër një fabrike të madhe kanabisi. I riu, Ermal Tarja, ishte futur ilegalisht në Britani në pjesën e pasme të një kamioni dhe ishte angazhuar për t’u kujdesur për një fermë droge, në rrethana që, sipas tij, lidhen me kërcënime ndaj familjes.
Sipas raportimeve të mediave britanike, rasti u shqyrtua këtë javë në Gjykatën e Kurorës në Liverpul. Policia e Merseyside, gjatë një bastisjeje më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ndërhyri në një ndërtesë dy-katëshe mbi njësi tregtare në Aigburth Road, ku zbuluan një ambient të organizuar për prodhimin e kanabisit.
Brenda objektit, oficerët gjetën katër dhoma të ndara për kultivim, njëra prej të cilave ishte aktive dhe përmbante 74 bimë kanabisi, të rritura me pajisje hidroponike. Sipas prokurorisë, kapaciteti i prodhimit të drogës varionte nga 2 deri në 6.2 kilogramë, me një vlerë të mundshme tregu nga rreth 20 mijë deri në mbi 93 mijë paund.
Tarja u lokalizua në katin e dytë të apartamentit, ku furnizimi me energji elektrike ishte manipuluar në mënyrë të rrezikshme. Ai u gjet i fshehur nën një shtrat dhe kishte me vete 87.23 paund para cash.
Prokurori Paul Blasbery i tha gjykatës se ambienti ishte përshtatur posaçërisht për prodhimin e lëndës narkotike dhe se roli i të pandehurit ishte ai i një punëtori që kujdesej për bimët dhe pajisjet e ndriçimit.
Gjatë marrjes në pyetje, 23-vjeçari u shpreh se ishte detyruar të pranonte këtë punë për shkak të një borxhi të konsiderueshëm që, sipas tij, i ati kishte në Shqipëri, në vlerën e rreth 10 milionë lekëve. Ai pretendoi se persona të lidhur me këtë borxh e kishin kontaktuar dhe i kishin ofruar të shkonte në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar, si mënyrë për shlyerjen e detyrimit financiar.
Tarja deklaroi se kishte frikë se familja e tij mund të rrëmbehej ose të dëmtohej nëse nuk pranonte. Ai tregoi se u fut kontrabandë në Britani rreth katër muaj para arrestimit dhe se, kur mbërriti në adresën ku u kap, ferma e kanabisit ishte tashmë e ngritur.
Sipas dëshmisë së tij, ai paguhej 500 paund në muaj për të ujitur dhe mirëmbajtur bimët, si dhe për të kontrolluar sistemin e ndriçimit. Lëvizjet i kishte të kufizuara dhe lejohej të dilte vetëm për të blerë ushqime në supermarket.
Çështja vijon të trajtohet nga autoritetet britanike, ndërsa gjykata pritet të vendosë mbi fatin e 23-vjeçarit shqiptar.
