Më 19 gusht, xhandarët e Moûtiers në Francë vunë re në qytet një automjet Citroën DS3, ndaj të cilit kohët e fundit ishte marrë një masë ndalimi të qarkullimit. Automjeti u kontrollua menjëherë dhe drejtuesi i tij, me origjinë nga Kosova, rezultoi pozitiv në testin për kanabis dhe kokainë. Në posedim kishte edhe 1.280 euro, në kartëmonedha të prerjeve të vogla.

Gjatë kontrollit të dhomës së hotelit në Moûtiers, ku ai jetonte me partneren e tij, hetuesit gjetën nën krevat dy revolverë të kalibrit 9 mm, si dhe një valixhe me 2.500 euro cash dhe municione që përputheshin me armët e sekuestruara.

Prania në dhomë e kanabisit të tharë, qeseve të vogla me kokainë dhe amfetaminave nuk linte asnjë dyshim për përfshirjen e tij në trafikun e lëndëve narkotike.

23-vjeçari, Erion Alimehaj, e pranoi këtë që në marrjen e tij të parë në pyetje, duke deklaruar se prej disa muajsh shpërndante droga të ndryshme në emër të trafikantëve shqiptarë, të cilët i jepnin rregullisht udhëzime përmes aplikacionit të koduar të mesazheve “Signal”.

Për aktivitetin e tij si shpërndarës, ai paguhej 4.500 euro në muaj. I riu tregoi bashkëpunim relativisht të mirë me hetuesit, duke i çuar xhandarët në vendet në pyll ku fshihte lëndët narkotike.

Përpara Gjykatës Penale të Albertville, e cila e gjykoi të hënën, më 24 gusht, i riu kosovar, me banim në Shqipëri, dha shpjegime pothuajse identike me ato të dhëna nga shumë shpërndarës shqiptarë që kishin dalë më parë para kësaj gjykate.

“Në një kafene në Shqipëri, disa njerëz më propozuan këtë punë në Moûtiers. E pranova sepse duhej të haja.”

Një justifikim i lidhur me nevojën për të siguruar ushqimin, të cilit zëvendësprokurorja Sandrine Checler nuk i besoi shumë.

“Për 4.500 euro në muaj, ai ishte mbi të gjitha i tërhequr nga ana fitimprurëse e aktivitetit të tij të paligjshëm.”

Në përgjigje të kërkesës së prokurorisë, gjykata e kryesuar nga Michelle Raffin e dënoi të pandehurin me dy vjet burg, së bashku me një gjobë prej 10.000 eurosh dhe ndalim të përhershëm të hyrjes/qëndrimit në territorin francez.