Elvis Ziu, 43 vjeç, një emër i njohur për autoritetet italiane si furnizues i rëndësishëm i drogës për klanin mafioz Rinzivillo, ka rënë në prangat e Policisë së Shtetit në Fier më 18 nëntor. Arrestimi u krye nga Forcat Operacionale Speciale në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit italianë, pas një koordinimi disamujor mes strukturave të sigurisë së të dy vendeve.
Sipas mediave italiane, Ziu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me “red notice” të Interpolit, me kërkesë të Antimafias së Kaltanisetës. Ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge, armëmbajtje pa leje dhe mbështetje logjistike për Cosa Nostra-n, përkatësisht degën Rinzivillo të Gelas – një nga grupet më aktive dhe të rrezikshme në Sicili.
Operacioni “The Wall”: rrjeti që lidhte Milanon me Gelan
Arrestimi i Zius lidhet me operacionin e koduar “The Wall”, që këtë vit çoi në dhjetëra ndalime në Sicili dhe Lombardi. Hetimet, të mbështetura me përgjime dhe ndjekje të vazhdueshme, treguan se Ziu vepronte nga periferia e Milanos, prej nga furnizonte me kokainë, hashash dhe crack rrjetin mafioz të drejtuar nga avokati gelas Grazio Ferrara, tashmë i pezulluar nga profesioni.
Sipas “La Sicilia” dhe “RaiNews”, ambientet e lokaleve në zonën e Macchitella-s shërbenin si qendra koordinimi për trafikun, ku përdoreshin para kesh dhe kodime për lëvizjen e sasive të mëdha të drogës. Pikërisht këto komunikime e çuan hetimin deri te Ziu, i konsideruar si hallka kryesore e furnizimit nga Lombardia.
Operacion ndërkombëtar deri në arrestim
Fati i Zius u vulos pasi Interpoli në Lion, Njësia Hetimore e Karabinierëve të Kaltanisetës dhe Zyra e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë koordinuan të gjitha lëvizjet e të dyshuarit. Pasi gjurma e tij u lokalizua në Fier, u krye operacioni përfundimtar, që i dha fund arratisjes së tij.
Autoritetet shqiptare pritet ta dorëzojnë së shpejti përballë drejtësisë italiane, ku dosja e tij konsiderohet ndër më të rëndat e klanit Rinzivillo.
