Interpol Tirana ka ekstraduar nga Zvicra 37-vjeçarin Jozi Kraja, i akuzuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Ekstradimi është kryer si rezultat i bashkëpunimit operacional ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Bern.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë i kishte caktuar Krajas masën e sigurisë “Arrest në burg” më 15 maj 2024, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Kraja dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024 ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami.
