Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Tiranë, ku një vajzë 16-vjeçare tentoi të vetëvritej.
Bëhet me dije se adoleshentja ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike si pasojë e përndjekjes dhe kërcënimeve nga ish-i dashuri i saj 46-vjeçar, Jetmir Llanaj, i cili aktualisht ndodhet në burg për një çështje gjobëvënieje.
Mësohet se vajza ka qenë më parë në një lidhje me Llanajn, por marrëdhënia mes tyre u ndërpre pas arrestimit të tij. Pas kësaj, e mitura nisi një lidhje të re, çka dyshohet të ketë nxitur reagime kërcënuese dhe përndjekje nga ish-partneri, pavarësisht se ky i fundit ndodhej pas hekurave.
E tronditur nga situata, vajza ka tentuar të marrë jetën e saj duke u dëmtuar me një mjet prerës. Ajo është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia, adoleshentja ka shfaqur shenja të forta stresi dhe ka kafshuar një punonjëse policie, duke treguar gjendjen e rënduar psikologjike në të cilën ndodhet.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të dokumentuar provat lidhur me përndjekjen që pretendohet se ka ndodhur ndaj të miturës.