Një 39-vjeçar nga fshati Mlizë i Elbasanit, Ilia Tahiri, ka humbur jetën pasi u mbyt në përroin që kalon pranë fshatit. Dyshohet se Tahiri ka qenë në gjendje të dehur kur ka rënë në ujë.

Kërkimet për gjetjen e trupit kanë vijuar gjatë gjithë natës, dhe mëngjesin e sotëm ai u gjet nga ekipet zjarrfikëse dhe ato të emergjencave të Elbasanit.

Trupi i pajetë është nxjerrë nga përroi dhe janë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Më datë 26.11.2025, rreth orës 20:00, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit I. T., 39 vjeç, se ai është larguar nga banesa dje, rreth orës 13:00.

Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në fshatin Kryezjarr, u gjet në një përrua, trupi i pajetë i shtetasit I. T.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 39-vjeçari ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur”, njofton policia.