Një 58-vjeçar i dënuar nga autoritetet italiane është arrestuar në Vermosh, në kuadër të një operacioni për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Arrestimi i Frederik Naçaj, i cili ishte shpallur në kërkim pas një dënimi të marrë në Itali, u realizua falë informacionit të shkëmbyer mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve italiane.
Naçaj, banues në fshatin Vermosh, ishte dënuar nga Gjykata e Udines në Itali me 4 vjet e 2 muaj burg për akuzën e “Dhunës në familje”. Pas arrestimit, autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Interpol Romën, kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Itali, ku ai do të vuajë dënimin.
Ky arrestim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të kapur personat që janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe për të garantuar zbatimin e drejtësisë për ata që janë të dënuar për krime të ndryshme.
