Një 39-vjeçar shqiptar është arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Mësohet se në pranga ka rënë  Ervis Vrenozi, i cili është dënuar me 5 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Fierit për armëmbajtje pa leje dhe prodhim/shitje narkotikësh. Arrestimi u bë i mundur pas operacionit të përbashkët policor të koduar “Akuzat”, mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike.

Pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë, ku do përballet me drejtësinë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet në bashkëpunim me partnerët britanikë, operacioni policor i koduar “Akuzat”. Kapet në Mbretëri të Bashkuar, një shtetas i dënuar nga Gjykata e Fierit, për armëmbajtje pa leje dhe për prodhim/shitje narkotikësh.

Si rezultat i koordinimit të informacionit dhe veprimeve operacionale të strukturave të Policisë së Shtetit, me homologët në Mbretëri të Bashkuar, u finalizua operacioni policor “Akuzat”, për kapjen e shtetasit shqiptar, të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të Shqipërisë: -Ervis Vrenozi, 39 vjeç.

Në vitin 2020, ai është dënuar nga Gjykata e Fierit, me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Mançester, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 39-vjeçarit, në Shqipëri.