Një i dënuar shqiptar që po vuan izolimin në Burgun e Nigritës në Greqi, ka denoncuar kushtet skandaloze në ambientet penitenciare, që nga qelitë e papërshtatshme si kafaz, të ushqimet e shtrenjta që tregtohen në ambiente dhe trajtimi në mungesë personali.
Në një komunikim me median greke “Zougla” (Xhungla), i burgosuri Simos Prelas (Sajmir Zefi), i cili po vuan dënimin në burg, flet për kushtet e papranueshme të jetesës në burgun e Nigritës.
Sipas ankesës së tij, qelitë e destinuara për tre persona janë të mbushura me deri në dyfishin e numrit të të dënuarve, duke i bërë kushtet e jetesës pothuajse të pamundura, ndërsa për shkak të buxhetit të reduktuar, shërbimet që duhet t’u ofrohen të burgosurve, përfshirë shërbimet sociale, nuk funksionojnë siç duhet.
Për më tepër, ai ankohet se supermarketi i burgut magazinon produkte të importuara me cilësi të dyshimtë, të cilat janë jashtëzakonisht të shtrenjta, duke i privuar kështu të burgosurit nga mundësia për t’i blerë ato, informon media në fjalë.
Së fundmi, i burgosuri deklaron se burgu strehon rreth 1,000 persona, dyfishi i numrit të planifikuar, ndërsa pavarësisht përpjekjeve të Drejtorit të burgjeve, Institucioni Korrektues ka mungesë stafi, pasi ka vetëm 35 oficerë korrektues.

