Një sasi tritoli ka shpërthyer në banesën e Tonin Qafës, në zonën e Bregut të Lumit në Tiranë, gjatë mesnatës së 2 prillit, rreth orës 00:35. Fatmirësisht, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale, duke dëmtuar derën e oborrit, xhamat e banesës dhe një automjet të parkuar pranë.

Sipas burimeve, Tonin Qafa ka një histori të trazuar, pasi në vitin 2009 i është vrarë vëllai. Pas këtij ngjarjeje, familja Qafa, me origjinë nga Fushë Arrëzi, u shpërngul në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Tonin Qafa ishte rikthyer në Shqipëri vetëm disa muaj më parë.

Një nga pistat e hetimit përfshin aktivitetin e nipave dhe fëmijëve të tij në Spanjë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e drogës. Policia po heton nëse ky shpërthim lidhet me ndonjë prishje hesapesh në rrjetet kriminale.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin e sulmit me eksploziv.