Pas një hetimi 4-mujor të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, Policia e Fierit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Imazheria”, duke arrestuar në flagrancë mjekun imazherist Gëzim Taullaj, 66 vjeç, me detyrë në spitalin rajonal të Fierit.
Sipas hetimeve, mjeku dyshohet se u kërkonte pacientëve para për kryerjen e ekzaminimeve me eko, ndërkohë që ushtronte aktivitet edhe në dy klinika private gjatë orarit zyrtar të punës, në kundërshtim me ligjin.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia sekuestroi një shumë të konsiderueshme parash të përfituara në mënyrë të dyshuar, konkretisht 1.857.000 lekë, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë, të cilat u administruan si prova materiale, së bashku me paranë e marrë pacientit në momentin e arrestimit.
Në ngarkim të mjekut rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme ligjore.
Fier/Finalizohet pas një hetimi 4-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, operacioni policor i koduar “Imazheria”.
I merrte shuma parash pacientëve për të kryer ekot, vihet në pranga mjeku imazherist Gëzim Taullaj në spitalin rajonal Fier.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve se mjeku imazherist në spitalin e Fierit iu merrte para pacientëve për të kryer ekot, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë Fier.
Për këtë rast, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithëm Fier, ka regjistruar procedimin penal nr.929 datë 01.07.2025, për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajësh u finalizua me arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale.
Gjithashtu, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
