Liridon Gushali alias Liridon Hoxha është 29-vjeçari shqiptar nga Durrësi, i arrestuar për vrasjen e një 34-vjeçari grek mëngjesin e 1 janarit, në Greqi.
Përveç shqiptarit në pranga është vënë edhe një grek, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Viktima, një 34-vjeçar grek, u godit për vdekje pas një konflikti me autorët. Sipas informacioneve, në këtë ngjarje janë përfshirë katër persona: tre shtetas grekë të moshave 30, 28 dhe 27 vjeç, si dhe shqiptari 29 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur një debat mes katër autorëve dhe viktimës përshkallëzoi në dhunë.
Gjithçka nisi kur viktima, i cili ndoshta ishte nën efektin e alkoolit, donte të hynte në një klub nate me dy shokë të tjerë të tij. Në derë ka qenë njëri prej autorëve, i cili ka refuzuar hyrjen e grupit, për pasojë ka pasuar fillimisht një konflikt verbal. Grupi i viktimës është larguar dhe pas rreth një ore kanë lënë një takim me grupin e portierëve, ose kanë pritur mbylljen e dyqanit, sepse janë takuar sërish, këtë herë në një rrugicë ngjitur me pedonalen kryesore të qytetit.
Në vetëm pak minuta situata ka agravuar dhe gjatë përleshjes autorët (katër në numër), kanë plagosur për vdekje me thikë 34-vjeçarin, duke e goditur dy herë në anën e majtë të trupit, konkretisht në brinjë dhe ijë. Në fakt, sipas burimeve të policisë, njëri prej autorëve ka qëlluar me pistoletë gazi më shumë se pesë herë në ajër. Ndonëse viktima është dërguar me autoambulancë në spitalin e Serresit, pak kohë më vonë ka dhënë frymën e fundit
Me të mbërritur në vendngjarje ku ndodhi ngjarja e përgjakshme, policia ka lokalizuar dhe ka sekuestruar 6 gëzhoja nga një pistoletë. Disa orë më vonë u arrestuan dy nga katër autorët, një 29-vjeçar nga Shqipëria dhe një 27-vjeçar nga Greqia. Autoritetet kanë nisur një gjueti për gjetjen dhe arrestimin e dy të tjerëve, një 28-vjeçar dhe një 30-vjeçar. Dosja e ngritur për rastin akuzohet për vrasje me dashje dhe bashkëpunim.
Sipas raportimeve nga mediat fqinje, 34-vjeçari ishte baba i dy fëmijëve dhe së shpejti do të bëhej sërish baba, pasi bashkëshortja e tij është shtatzënë.