Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv është regjistruar mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 3 të qytetit të Sarandës.

Ngjarja raportohet se ka ndodhur pranë banesës së 31-vjeçarit, Klaus Jaçe, i cili ndodhet në kërkim nga policia.

Dyshohet se shpërthimi ka pasur si shënjestër një automjet të parkuar pranë banesës, i cili është shkatërruar plotësisht. Si pasojë, janë dëmtuar edhe disa banesa përreth.

Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytetit për të ndaluar autorët e mundshëm.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar.