Pas dëshmisë së dhënë nga familjarët e 23-vjeçarit Renis Dobra dhe sekuestrimit të kamerave të sigurisë të bizneseve përgjatë aksit kombëtar Burrel-Tiranë, grupi hetimor bëri të mundur edhe identifikimin e autorëve të dyshuar për krimin.
Sipas “Panorama”, njëri prej tyre është Petrit Çakrri, një prej dëshmitarëve okularë i vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Hetimet kanë zbuluar se Çakrri ka marrë me qira në Rinas, dy automjete, një Range Rover të zi dhe një Honday të bardhë.
Petrit Çakrri rezulton të ketë patur precedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.
Në vitin 2017, ai u arrestua nën dyshimet për mashtrim me pasoja të rënda dhe në aktakuzë thuhej se ai kishte mashtruar një biznesmen nga Vora, të cilit i kishte marrë një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja duke iu prezantuar si tregtar. Çakrri, që u tradhtua nga kamerat e sigurisë dhe GPS e makinës që kishte marrë me qira dhe që përdori në krim.
Përmes pamjeve filmike, hetuesit kanë mundur të zbulojnë pikën e dhënies së automjeteve me qira, ku del se pasi kanë dorëzuar makinat që përdoren në krim, kanë marrë automjete të tjera po me qira. Por, zbulimi i GPS së makinës, i ka mundësuar grupit të hetimit, se automjeti me të cilin udhëtonte Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha ka lëvizur në trajektoren ku ka lëvizur edhe Renis Dobra.
Pas krimit, Petrit Çakrri është larguar nga Shqipëria dhe besohet të ketë dalë jashtë vendit nga pika e kalimit kufitar të Morinës. Ndërsa nipi i tij u ndalua nga policia dhe iu sekuestrua celulari, aty ku besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e Renis Dobrës.




