Interpol Tirana bashkë me njësinë e të kërkuarve në NCA kanë prangosur një prej njerëzve të afërm të Leart Haxhiut në Angli.
Nga dokumentet e gjykatës së ekstradimeve, parë nga Top Channel, i arrestuari është Lorenc Lala, 47 vjeç. Drejtësia shqiptare e kërkon për akuzën e planifikimit për të realizuar vrasje dhe pritet që ai të dalë përsëri përpara gjykatës të ekstradimeve më 24 Qershor.
Momentalisht, Lala është lënë në paraburgim deri më këtë datë për vetë rrezikshmërinë dhe për pjesëmarrjen në një organizatë kriminale.
Drejtësia shqiptare e akuzon Lorenc Lalën për përfshirje në vrasjen e Albi Bashaliut, në fshatin Gjocaj të Peqinit, vrasje e kryer kundrejt 50 mijë eurove dhe pagesa sipas hetimeve është dhënë tek Laert Haxhiu nga Lorenc alias Kristian Lala.
Sipas rrëfimit të bashkëpunëtorit të prokurorisë Artan Tafani, vrasjen e Bashaliut e ka kryer ai së bashku me Lulzim Arapin, Bledar Berberin, Enrico Xhahysën dhe Laert Haxhiun. Shuma financiare është paguar nga Lala tek Laert Haxhiu i cili më pas ka mobilizuar grupin e tij për të kryer vrasjen./ Top Channel