Kanë përfunduar në mënyrë tragjike kërkimet për ish-ushtarakun e karrierës dhe ish-drejtuesin e Gardës së Republikës, Flamur Kolmarku, i cili rezultonte i zhdukur prej pasdites së së enjtes.
Lajmi është konfirmuar nga bashkëshortja e tij, e cila ka bërë me dije se 55-vjeçari është gjetur pa shenja jete, duke i dhënë fund ditëve të kërkimeve dhe ankthit për familjarët.
Sipas familjes, Kolmarku kishte humbur kontaktet pas largimit nga banesa, ndërsa më herët ishte raportuar se ai vuante nga një formë e rëndë e demencës që i shkaktonte probleme me kujtesën.
Familjarët kishin kërkuar ndihmën e policisë dhe qytetarëve për gjetjen e tij, ndërsa kërkimet u bënë publike edhe përmes rrjeteve sociale.
Flamur Kolmarku ka shërbyer për më shumë se dy dekada në Gardën e Republikës, duke mbajtur pozicione drejtuese dhe duke u konsideruar një figurë e njohur në strukturat e sigurisë.
Familjarë, miq dhe ish-kolegë kanë shprehur ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta, duke e kujtuar si një njeri të përkushtuar ndaj detyrës dhe familjes.
