Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Brothers”, duke arrestuar dy vëllezër shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

Ergis dhe Arbin Hoxha janë vëllezërit e akuzuar nga Gjykata e Breshias si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, veçanërisht kokainës.

Dy vëllezërit, të cilët ishin aktivë në trafikun ndërkombëtar të drogës, ishin në arrati për një periudhë të gjatë dhe shpallur në kërkim pas disa operacioneve të tjera të ndërmarra nga autoritetet italiane.

Njoftimi i Policise

Finalizohet operacioni i koduar “Brothers”, për kapjen e 2 shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Kapen dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Itali, 2 vëllezër të akuzuar nga Gjykata e Breshias, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, dhe i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”, për kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasve:

E. H., 32 vjeç dhe A. H., 34 vjeç, banues në fshatin Manzë.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Breshias, Itali, i akuzon për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana do të kryejë procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e 2 vëllezërve, në Itali.