Një 39-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia greke, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në prangat e policisë ka rënë Osmen Hoxha, arrestimi i të cilit u krye pas një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet belge. Urdhër-arresti kishte të bënte me përfshirjen e të Osmen Hoxhës në një organizatë kriminale me seli në Belgjikë, e cila dyshohet se është aktive në importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në vendet evropiane, si dhe në kultivimin e plantacioneve të marijuanës dhe funksionimin e impianteve të përpunimit dhe riformulimit të drogës jashtë vendit.

Konkretisht, arrestimi i Hoxhës lidhet me sekuestrimin e një kontejneri në shtator 2024 në portin e Antwerp, i cili përmbante 500 kilogramë kokainë. Shqiptari i arrestuar është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente, ku është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa hetimi për rastin vazhdon.