Shtetasi Erind Lasku, një shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht, është ekstraduar nga Milano në Shqipëri, si pjesë e një operacioni të gjerë ndërkombëtar. Lasku akuzohet për koordinimin e pastrimit të parave të një grupi kriminal në Durrës, që lidhet me fitime të paligjshme nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Sipas një njoftimi të Policisë, ekstradimi i tij u realizua pas një bashkëpunimi të ngushtë midis specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe atyre të Interpol Romës. Operacioni “The Wanted” ka mundësuar finalizimin e procedurës së ekstradimit, që u realizua me sukses nga Italia në Shqipëri.
Lasku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në muajin prill 2025, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet për këtë çështje janë në vazhdim.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon bashkëpunimi i ngushtë me partnerët, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.
Ekstradohet nga Milano, shtetasi që koordinoi pastrimin e parave të një grupi kriminal në Durrës, të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Si rezultat i partneritetit shumë të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit me ata të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit “The Wanted”, u finalizua procedura e ekstradimit nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit E. L..
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse GjKKO-ja, në muajin prill, 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
