Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra prokuroren e Tiranës, Mirela Zavalani, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimi është marrë për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut. Shkarkimi i Zavalanit është kërkuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, e cila e akuzoi për mosdeklarim të plotë të pasurisë dhe cënim të integritetit profesional.

Më herët, më 15 qershor, KPK e kishte konfirmuar në detyrë prokuroren pas një seance dëgjimore, ku u diskutuan gjetjet për pasurinë e vjehrrit si dhe të ardhurat nga dhënia me qira e një objekti në pronësi të bashkëshortit dhe babait të tij, që ishte deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

Vendimi i KPA:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtare, shpalli vendimin për çështjen nr. 38/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 673, datë 15.06.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Mirela Zavalani. Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 673, datë 15.06.2023 dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Mirela Zavalani.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall në Tiranë, sot, më datë 24.10.2025.