Një 43-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Fier, pasi rezultoi se mbante armë pa leje në shtëpi.  I arrestuari është Vasil Osmani, të cilit iu sekuestruan dy automatikë pa leje “Kallashnikov” dhe municione. Ndërhyrja u krye në fshatin Levan, pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative. Armët u dërguan në Laboratorin e Policisë Shkencore për ekspertim, për të zbuluar nga analiza balistike nëse janë përdorur në krime të mëparshme.

Njoftimi i Policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në zbatim të planit të masave për kontrollin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri ose i mbajnë ato pa leje në banesë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin policor të koduar “No Guns 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u kap dhe u arrestua një shtetas 43 vjeçar, banues në fshatin Levan, Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip kallashnikov, si dhe municion luftarak, të cilat ai i posedonte pa leje. Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur ose jo në ngjarje të mëparshme kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.