Policia ka arrestuar një 46-vjeçar në Tiranë, i cili akuzohet se furnizonte grupe kriminale me armë zjarri. Altin Celami dyshohet se përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore.

Ai u kap në “Rrugën e Dibrës” teksa drejtonte taksinë dhe gjatë kontrollit fizik të automjetit si edhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale.

Gjithashtu iu gjet lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme nga Strukturat e DVP Tiranë, ndaj armëmbajtjes pa leje.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Gun Expert”, i ndjekur me metoda speciale hetimi. Sekuestrohen 4 armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh.

Furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, vihet në pranga 46-vjeçari që përdorte taksinë e tij për të shmangur kontrollet policore. 46-vjeçari i implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal.

Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda speciale, finalizoi operacionin policor të koduar “Gun Expert”. Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, teksa drejtonte automjetin tip taksi.

Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale, lëndë narkotike kokainë dhe pjesë të ndryshme arme të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i arëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe Shitja e Narkotikeve”.