Zija Shulku dyshohet se është autori i kërcënimit me eksploziv ndaj pronarit të një karburanti në Peshkopi, pranë Spitalit.

Sipas të dhënave paraprake, Shulku i ka kërkuar pronarit të biznesit shumën prej 50 milionë lekësh, duke e kërcënuar se karburanti do të hidhej në erë nëse paratë nuk do të dorëzoheshin.

Kërkesa për pagesën është dërguar së bashku me një pako ku dyshohet se ndodhej lëndë eksplozive, e fshehur brenda një kutie picash. Në të njëjtën pako ishte vendosur edhe një letër kërcënuese, ku kërkohej që shuma të paguhej brenda dy orëve.

Pas konstatimit të pakos, policia ka nisur menjëherë hetimet. Në bazë të veprimeve hetimore dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, autoritetet kanë arritur të identifikojnë autorin e dyshuar.

Policia ka ndërmarrë masa sigurie në zonën pranë karburantit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e ngjarjes.