Policia ka vendosur në pranga një 39-vjeçar, i cili akuzohet për vrasje nga autoritetet spanjolle.

Elion Vathi alias Kaçi, banues në Kamëz, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjyqësore në Spanjë për veprën penale ‘Vrasje”. 39-vjeçari u arrestua nga policia me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lacking” nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë. Lokalizohet dhe kapet një 39-vjeçar, i akuzuar për “Vrasje” nga autoritetet spanjolle.

Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lacking”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja me qëllim ekstradimin drejt Spanjës të shtetasit: E. V(K)., 39 vjeç, banues në Kamëz. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore në Spanjë, kanë lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale ‘Vrasje” parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese spanjolle, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.