Autoritetet kolumbiane kanë arrestuar Genti Krasniqin, një shtetas shqiptar 62-vjeçar i konsideruar si një prej emrave kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, pas nëntë vitesh arrati.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, Krasniqi kishte hyrë në territorin kolumbian në vitin 2023 dhe kishte lëvizur në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Bogotá dhe Tunja-n, një qytet i vogël në departamentin Boyacá. Ai u prezantua si turist, por hetimet zbuluan identitetin e tij të vërtetë dhe lidhjet me një rrjet të gjerë trafiku droge që vepronte në Evropë.
Burime nga gazeta kolumbiane El Tiempo raportojnë se autoritetet kishin filluar kërkimet pas një njoftimi të kuq të lëshuar nga Interpoli në janar të këtij viti, i cili vinte pas një hetimi të Prokurorisë së Milanos. Hetimet italiane të vitit 2016 kishin zbuluar se një apartament luksoz në Milano, i përdorur nga një çift – një grua italiane dhe një burrë shqiptar shërbente si pikë tranziti për ngarkesa heroine që vinin nga Tirana. Edhe pse çifti u kap, shqiptari arriti të arratisej dhe që prej asaj kohe ishte në kërkim ndërkombëtar.

Arrestimi i Krasniqit në qytetin Tunja, rreth 8,900 kilometra larg Milanos, ishte një surprizë për autoritetet italiane. Ai kishte vendosur të qëndronte në një qytet të vogël për të shmangur vëmendjen, veçanërisht pasi pasaporta e tij kishte skaduar dhe besonte se autoritetet lokale nuk do të merrnin njoftimin e Interpolit.
Zyrtarët e emigracionit në Kolumbi e identifikuan menjëherë dhe nisën një operacion për kapjen e tij. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim, në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Italisë.
Ndërkohë, autoritetet kolumbiane kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ai ka zhvilluar ndonjë aktivitet kriminal gjatë qëndrimit në vend. Dyshimet janë se ai mund të jetë përfshirë në trafik droge edhe në Kolumbi, duke përdorur kontakte lokale për të ruajtur profilin e ulët.
Nuk ka shumë informacion për partneren e tij të dyshuar, Irma Veruari, ndërkohë që në Shqipëri ndaj Krasniqit nuk ka asnjë akuzë aktive. Gjithsesi, arrestimi i tij konfirmon edhe një herë rolin e Kolumbisë si një qendër nevralgjike e trafikut ndërkombëtar të drogës, me rreth 250,000 hektarë të mbjella me kokainë.
Krasniqi pritet të ekstradohet në Itali, ku përballet me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.