Ëngjëllushe Tahiri është caktuar si gjyqtare themeli për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës Erjon Veliajt dhe miqve të tij të përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Shorti elektronik ka përcaktuar këtë gjyqtare për të vendosur për fajësi apo pafajësi për Erjon Veliajn, Ajola Xoxa dhe personat e tjerë të përfshirë në korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash.

Sipas shortit, kryesuese e trupës do të jetë Engjëllushe Tahiri, ndërsa anëtare janë Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. Trupa do të vijojë procedurat për shqyrtimin e çështjes në seancat në vijim.

Gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri aktualisht gjykon megaprocesin “Plumbi i Artë”. 

EMRI/ Nga “Plumbi i Artë” tek Bashkia e Tiranës, caktohet

PROCESI

Kujtojmë se tre ditë më parë Apeli i GJKKO-së rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke lënë Veliajn në burg.

Kreu i bashkisë së Tiranës kishte ofruar garanci pasurore në përpjekje për të zbutur masën aktuale “arrest me burg”.

Mbrojtja e kryebashkiakut iu drejtua Apelit të Posaçëm për të ndryshuar masën e sigurisë me argumentin se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, çka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.

Po ashtu, kujtojmë që kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025.

Ndaj tij, SPAK ka renditur 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumicën e akuzave e përbën korrupsioni pasiv i kryer sipas SPAK në 9 raste. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste.