Një operacion i zhvilluar nga Policia e Tiranës ka goditur një grup që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në kryeqytet.
Gjatë aksionit është vënë në pranga shtetasi Gerold Doçe, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim si bashkëpunëtorë të tij.
Sipas njoftimit zyrtar, lëndët narkotike ruheshin në ambientet e përbashkëta të një pallati, si dhe në një automjet të parkuar pranë tij, me qëllim shpërndarjen në doza për shitje.
Si rezultat i kontrolleve, policia sekuestroi rreth 1 kilogram e 32 gramë kokainë, 377 gramë cannabis sativa, si dhe 13 tableta MDMA. Gjithashtu, u bllokua edhe një automjet i markës Mazda që dyshohet se përdorej për aktivitetin e paligjshëm.
Hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.
“Shërbimet e Forcës e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i punës intensive operative dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose të organizuar si grup, shesin në sasi ose në doza, lëndë narkotike, finalizuan operacionin e koduar “Baza”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi G. D., 26 vjeç, dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kishin siguruar lloje të ndryshme lëndësh narkotike (Kokainë, Cannabis Sativa dhe MDMA), sasi të të cilave i kishin fshehur në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.
