Një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar “The Wanted” është mbyllur me sukses, duke çuar në arrestimin e një 26-vjeçari shqiptar të shpallur në kërkim për veprimtari të rënda kriminale.
Bëhet fjalë për Algert Zenelin, i cili u lokalizua dhe u vu në pranga në Spanjë, ndërsa pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, si dhe përfshirja në grup të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve, gjatë vitit 2023, në zonën e fshatit Kir në njësinë administrative Pult, si dhe në territore të tjera pranë Thethit, në Shkodër, 26-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për kultivimin e rreth 10 900 bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Madrid, përmes shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional.
Autoritetet shqiptare pritet të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij dhe përballjen me drejtësinë në vend.
