Një 35-vjeçar i shumëkërkuar nga drejtësia italiane për organizatë kriminale dhe trafik droge në Milano, është lokalizuar dhe arrestuar sot (23 shkurt) në qytetin e Shkodrës.
I arrestuari është Izmir Dunga, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Milanos i kishte caktuar maswn e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Pas ndalimit do të nisin edhe procedurat e ekstradimit nëpërmjet Interpol Tiranës, por më parë duhet marrë edhe vendimi i Gjykatës së Shkodrës për këtë proces.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Operacionalja”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Vihet në pranga një tjetër i kërkuar ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 84”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin e Shkodrës, nga shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe arrestimi i shtetasit I. D., 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, për ekzekutimin e urdhrit për zbatimin e masës së sigurisë personale “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Milanos, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.


