Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para pak minutash në rrugën “Mitat Hoxha”, në zonën e njohur si “Ekualipsi” në Sarandë, ku një person ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një konflikti mes dy personash, rrethanat e të cilit ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të situatës. Deri tani nuk janë dhënë detaje zyrtare mbi identitetin e personit tjetër të përfshirë në konflikt apo shkaqet që çuan në përplasjen mes tyre.
Gjatë ngjarjes raportohet se një prej automjeteve të përfshira në incident ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një tjetër mjet në rrugë, çka ka shtuar panikun mes kalimtarëve dhe banorëve të zonës.
Sipas burimeve nga spitali i Sarandës, i plagosuri është identifikuar si Devis Saliaj, 21 vjeç, me origjinë nga Tirana. Ai ka marrë një goditje me thikë në parakrah, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët kanë konfirmuar se gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.
Aktualisht, Saliaj nuk ka dhënë shumë informacione përpara oficerëve të policisë lidhur me rrethanat e ngjarjes, pasi ishte në gjendje të dehur në momentin e plagosjes.
